Në vitin që shkoi, në Kosovë janë regjistruar 548 raste të reja me tuberkuloz. Në Ditën Botërore të Mushkërive, Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se kjo sëmundje mbetet një sfidë e rëndësishme për shëndetin publik.
Sipas MSH-së, sëmundjet e mushkërive përfshijnë një gamë të gjerë çrregullimesh që dëmtojnë organet e frymëmarrjes dhe aftësinë e trupit për të marrë oksigjen. Ato janë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë në botë.
MSH thekson se edhe në Kosovë, tuberkulozi mbetet sfidë për shëndetin publik. “Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 548 raste me një incidencë prej 34.3 për 100,000 banorë. E ritheksojmë se diagnostikimi dhe trajtimi i tuberkulozit ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore të vendit tonë”, thuhet në njoftim
Sipas raportit global për sëmundjet respiratore, miliona persona preken çdo vit nga sëmundje si sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK), astma, pneumonia, tuberkulozi dhe kanceri i mushkërive, të cilat shkaktojnë vdekje në shkallë të gjerë.
Përveç tuberkulozit, sëmundjet e tjera të organeve të frymëmarrjes, përfshirë astmën dhe bronkitin kronik, vazhdojnë të jenë shkaktarë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend.