Sipas njoftimit të FSK-së, delegacioni u prit nga Zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, Kolonel Mehmet Lladrovci, i cili i informoi mysafirët nga Shqipëria për të arriturat, sfidat, ngritjen e kapaciteteve, misionin dhe detyrat e kësaj komande, si dhe për strukturën organizative dhe zhvillimet në fushën e logjistikës dhe asaj mjekësore.

“Gjatë vizitës, delegacioni pati mundësinë të vizitojë servisin për automjetet e rënda, ku u njoh nga afër me kapacitetet e mirëmbajtjes që ofron FSK. Palët rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve logjistike dhe mjekësore, përmes planeve bilaterale dhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet dy forcave”, thuhet në njoftim.