Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa e ka gjobitur me 5 mijë e 100 euro, kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, pasi gjyqtarët e këtij paneli vendosën ta shpallin të pranuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje të parashtruar kundër LDK-së për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre e Kandidatët, gjatë fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit.
Në ankesën e deponuar një ditë më parë nga Vetëvendosja në PZAP, thuhet se Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal më 24 shtator, ku pikë e rendit të ditës ishte votimi i Projektbuxhetit për vitin 2026 ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit Komunal për të bërë fushatë për vete dhe për subjektin që përfaqëson.
“Ftoj qytetarët e kryeqytetit të reflektojnë, që me 12 tetor të ua tregojmë vendimin secilit asamblist që e ka bllokuar dhe vazhdon ta bllokoj këtë proces demokratik të zhvillimit dhe transformimit të kryeqytetit me votën e tyre, prandaj me 12 tetor urojmë ta kemi një shumicë me të cilën do ta vazhdojmë transformimin e qytetit ashtu siç kemi bërë këto 4 vite. Ju uroj ditë të mirë sot dhe fitore me 12 tetor”, është deklarata e Ramës, mbi të cilën është ankuar Vetëvendosje, e që sipas tyre, ai ka shfrytëzuar resurset shtetërore të nivelit lokal për qëllimin e fitimit të votave.
PZAP-ja, ka konstatuar se Rama, me këto veprime ka shkelur dispozitën e nenit 36 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pasi ka shfrytëzuar hapësirat e brendshme të komunës së Prishtinës, respektivisht foltoren e Kuvendit Komunal me qëllim të përfitimit të votave.
LDK-ja në përgjigje të kësaj ankese pretendon se ankesa e LVV-së është e pabazuar meqë, sipas tyre, kandidati për kryetar nga radhët e LDK-së, është kryetar aktual, dhe, siç kanë thënë, e ka përgjegjësi që buxhetin dhe procedurat tjera t’i kryej në të mirë të qytetarëve, pavarësisht fushatës.
LDK detyrohet që gjobën e shqiptuar nga PZAP-ja ta paguaj brenda 15 ditësh, nga momenti i plotfuqishmërisë së vendimit, derisa të njëjtin vendim të PZAP-së, LDK-ja ka të drejtë ta atakojë në Gjykatën Supreme në afat prej 48 orësh nga momenti i pranimit të këtij vendimi.