Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut do të mirëpresë më 1 dhe 2 tetor Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor (WBDS) 2025, ngjarjen më të rëndësishme rajonale kushtuar transformimit digjital. Samiti do të mbahet në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, nën bashkëorganizimin e Ministrisë për Transformimin Digjital të Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

 

Me pjesëmarrjen e qeverive të rajonit, komunitetit të biznesit, akademisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, WBDS 2025 do të shërbejë si platformë për nxitjen e bashkëpunimit dhe përshpejtimin e agjendës digjitale të Ballkanit Perëndimor.

Ngjarja do të ndahet në dy pjesë kryesore – Kryesore dhe Teknologji – duke u fokusuar këtë vit në tre fusha prioritare:

Portofoli digjital – qasje e sigurt dhe e thjeshtë në shërbime publike e private

Interoperabiliteti – lidhja e sistemeve dhe regjistrave për shërbime digjitale ndërkufitare

Siguria kibernetike – mbrojtja e të dhënave personale dhe e infrastrukturës kritike

Në skenën e teknologjisë do të zhvillohen sesione të dedikuara për inteligjencën artificiale, infrastrukturën 5G dhe optike, zhvillimin e aftësive digjitale si dhe qasjen e kompanive rajonale në tregun unik digjital të BE-së.

Pritet që mbi 800 pjesëmarrës dhe folës të nivelit të lartë – përfaqësues të qeverive të Ballkanit Perëndimor, Komisionit Evropian, RCC-së, Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) dhe liderë të sektorit privat – të marrin pjesë në këtë edicion.

Një prej temave kryesore të samitit do të jetë ulja e kostove të roaming-ut ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, me synimin për të arritur një model të ngjashëm me parimin “roaming si në shtëpi”.

Që nga themelimi në vitin 2018, Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor është shndërruar në platformën kryesore rajonale për bashkëpunimin në fushën digjitale. Ai ka kontribuar në arritje të rëndësishme si: heqja e tarifave të roaming-ut brenda rajonit, avancimi i interoperabilitetit, përmirësimi i aftësive digjitale dhe zhvillimi i e-shërbimeve. WBDS është pjesë e Agjendës Digjitale brenda Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM) dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian.