Vladimir Muçaj
Emërimi i Silva Cakës si zëvendësministre e Brendshme në qeverinë “Rama 4” është një ndër ato lëvizje që nuk kalojnë dot pa u vënë re, jo vetëm për shkak të figurës së saj si ish-deputete e LSI-së, por edhe për domethënien politike dhe morale që mbart në kujtesën e afërt të publikut. Për ne që kemi ndjekur jetën politike shqiptare në tri dekada, rastet e kalimeve nga një kamp në tjetrin nuk janë të panjohura. Politika shqiptare i ka njohur shpesh metamorfozat ideologjike, aleancat e papritura, rikthimet dhe largimet pa sqarime, por ka gjithmonë disa momente që e testojnë më fort durimin dhe besimin e publikut tek politika si mjet përfaqësimi dhe jo si trampolinë personale.
Silva Caka ka qenë një zë i njohur i opozitës së viteve të fundit, e formuar politikisht nën hijen e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe e dalluar për retorikën e saj të ashpër ndaj qeverisë aktuale. Shpesh me tone përtej gjuhës parlamentare, ajo e ka quajtur Edi Ramën pengesën kryesore për integrimin europian të vendit, ka denoncuar korrupsionin e qeverisë, ka folur për një narkoshtet të ndërtuar përmes kapjes së institucioneve dhe ka qenë ndër figurat më aktive në protestat kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, përfshirë edhe episodin e shoqërimit të saj të dhunshëm nga ana e Policisë së Shtetit. Të gjitha këto janë të dokumentuara me zë dhe figurë, të regjistruara jo vetëm në arkivat e mediave, por edhe në kujtesën kolektive të një pjese të shoqërisë që identifikohej me një frymë rezistence ndaj pushtetit.
Pikërisht për këtë arsye, emërimi i saj në një nga postet më të ndjeshme të qeverisë nuk mund të shihet thjesht si një lëvizje teknike apo si ristrukturim administrativ. Ky është një akt me ngarkesë simbolike të fortë dhe, për shumëkënd, edhe një provokim i hapur ndaj logjikës morale që duhet ta shoqërojë jetën publike. Nuk është vetëm çështje e ndryshimit të bindjeve apo e rritjes së një profili profesional. Ka një mungesë të plotë shpjegimi publik për këtë kthesë të beftë, një heshtje që e lë hapësirën të mbushet me cinizëm dhe mosbesim. Sepse kur një figurë publike që deri dje akuzonte policinë për dhunë dhe qeverinë për kriminalizim, sot merr post drejtues në të njëjtin sistem, qytetari ndjehet i zhgënjyer dhe i tradhtuar në pritshmëritë e veta.
Askush nuk është naiv të mendojë se politika është një fushë ku parimet janë gjithmonë të pandryshueshme. Por të paktën kërkohet një akt reflektimi, një moment sqarimi, një përpjekje për të ruajtur dinjitetin e vet dhe të publikut. Kalimet e tilla, kur ndodhin pa asnjë paralajmërim, pa një fjali sqaruese, pa një pozicionim të sinqertë, lënë pas vetes jo vetëm dyshime, por edhe një ndjenjë lodhjeje të thellë nga e gjithë klasa politike. Nuk është më çështje e një individi të vetëm. Është një çështje sistemi. Sepse kur politika humbet koherencën, kur fjalët e djeshme përpihen nga heshtja e sotme, dhe kur qëndrimet e forta shndërrohen në heshtje komode në emër të pushtetit, atëherë politika humbet edhe funksionin e saj përfaqësues. Kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek morali publik, tek motivimi qytetar, tek vetëbesimi i njerëzve se vota ka kuptim dhe se përfaqësimi nuk është thjesht çështje interesash personale.
Silva Caka, me profilin e saj të dikurshëm si zë e fortë i opozitës, me historinë e përplasjeve me policinë që sot do ta drejtojë në aspektin politik, me akuzat që ka artikuluar ndaj qeverisë ku tashmë është pjesë, mbart në këtë emërim një ngarkesë të tillë që nuk mund të injorohet. Dhe për sa kohë ajo nuk e shoqëron këtë hap me një sqarim të sinqertë, për aq kohë do të jetë një rast tipik i asaj që ka çuar politikën shqiptare në këtë krizë besimi: mungesa e marrëdhënies së sinqertë me qytetarin.
Në tri dekada gazetari, kam parë shumë politikanë që kanë ndërruar krah, bindje, flamuj. Disa kanë ditur ta bëjnë këtë me dinjitet, me reflektim, madje me kërkim ndjese publike. Të tjerë, siç duket edhe në këtë rast, e kanë bërë këtë në heshtje, si në një marrëveshje personale që nuk i përket më shoqërisë. Dhe pikërisht aty qëndron problemi. Sepse qytetari nuk kërkon shumë: ai kërkon që të mos ndihet i përdorur, të mos ndihet i tallur. Nuk ka nevojë për figura të përsosura, por ka nevojë për njerëz që mbajnë fjalën e dhënë, ose të paktën shpjegojnë pse nuk e mbajnë më.
Në fund, nuk është emërimi i Silva Cakës që duhet të na shqetësojë më shumë, por mënyra si ai ndodh: pa debat, pa reflektim, pa asnjë ndjeshmëri për opinionin publik. Dhe kjo tregon më shumë për sistemin politik se sa për individët e veçantë. Në një vend ku koherenca shihet si dobësi dhe ku morali politik është zëvendësuar nga lëvizjet taktike personale, çdo emërim i tillë nuk është thjesht një lajm. Është një simptomë e thellë e një sëmundjeje të kahershme: mungesës së përgjegjësisë para qytetarëve.