Edhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pjesëmarrja e grave është larg 50 përqindëshit, e pak mbi kuotën 30 përqindëshin që e obligon ligji. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i ka thënë Radio Kosovës se në numrin e përgjithshëm të të certifikuarve për zgjedhje vazhdojnë të dominojnë burrat.
“Për zgjedhjet për kryetarë të komunave janë certifikuar 205 kandidatë, prej të cilëve 185 burra dhe 20 gra. Ndërsa, në zgjedhjet për Kuvende Komunale janë certifikuar 5 mijë e 419 kandidatë, prej të cilëve 3 mijë e 395 burra dhe 2 mijë e 24 gra”, thotë Elezi.
Kjo për zgjedhjet, sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, shpërfaq dallimet e mëdha gjinore në listat e subjekteve politike.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë që monitoron proceset zgjedhore, thotë se numri i vogël i kandidateve gra është vijimësi negative e mos përfshirjes së grave për nivelin lokal.
“Subjektet politike nuk u kanë ofruar as hapësirën minimale grave të garojnë në zgjedhje. Në radhë të parë edhe në mungesë të një sanksionimi ligjor”, thotë Cakolli.
Për më keq, sipas tij, është kandidimi nëpër komuna ku partitë kanë gjasat vogla për të fituar. “Është tregues që subjektet politike ende nuk po e marrin seriozisht përfaqësimin gjinor”, thotë ai.
Politologia Arta Tahiri-Beqa thotë se partitë politike kanë propozuar gra në komunat ku qëndrojnë dobët dhe kanë pak mundësi për fitore.
“Këto propozime janë më shumë vetëm numër, sa për të thënë që ja kemi propozuar. Por asnjëra prej partive nuk është që ka nxjerrë një emër që mund të jetë një nga kandidatët që mund të shkojë në balotazh”, thotë Tahiri-Beqa.
Gratë në politikë dhe vendimmarrje nuk e kanë hapësirën që i takon, vlerëson sociologia Bukurije Rrustemi, e cila numrin e vogël të kandidateve për zgjedhjet lokale e ndërlidh me elemente të rrënjosura të patriarkalizmit.
“Tradicionalisht burrat kanë qenë ata që kanë përfaqësuar shoqërinë, përfshirë gratë. Fatkeqësisht kjo traditë po vazhdon”, thotë Rrustemi, për Radio Kosovën.
“Është fenomen shqetësues e dëshpërues, se si kaq pak mundësi iu jepet grave të jenë kandidate për kryetare të komunave, bartëse listash apo asamble komunale, përveç asaj që e imponon kuota gjinore që janë të obliguar me zbatuar”, shton ajo.
Deri më tani vetëm dy gra, në Gjakovë e Graçanicë, kanë arritur të fitojnë një mandat për kryetare të komunës, përderisa vetëm në dy raste të tjera gratë kanë arritur të shkojnë në balotazh.