Kreu i Institutit të Bazelit për Qeverisje, Stephen Ratcliffe, ka qenë sot mysafir i udhëheqësit të Zyrës për Rikthimin e Aseteve, prokurorit, Bahri Hyseni, derisa bëhet e ditur se të dy bashkë diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, sidomos në aspektin e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Siç bëhet e ditur, përveç kreut të Institutit të Bazelit për Qeverisje, ka qenë edhe një tjetër bashkëpunëtor i tij, Peter Willson, ndërsa pjesë e takimit ishin edhe partnerë ndërkombëtare si Mats Person nga Bashkimi Evropian dhe Marina Kovachic nga GIZ-i.
“Diskutimet u përqendruan në të arriturat e deritanishme të Zyrës për Rikthimin e Aseteve, në bashkëpunimin ekzistues si dhe në mundësitë për thellimin e këtij bashkëpunimi ndërmjet Zyrës dhe Institutit të Bazelit për Qeverisje. Me këtë rast, z. Ratcliffe u zotua se Instituti i Bazelit për Qeverisje do të vazhdojë mbështetjen për Zyrën për Rikthimin e Aseteve, duke kontribuuar në ngritjen e efikasitetit dhe rezultateve të saj, sidomos në aspektin e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar”, bëhet e ditur në njoftim.