E përditësuar (21:00) “Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist” ka publikuar një rinjoftim, duke njoftuar se aktivistja kosovare Albulena Fazliu, për të cilën më herët u raportua se ishte ndaluar nga Izraeli, mund të ndodhet në një anije që ende nuk ka arritur në Gaza.
Kolektivi ka thënë se njoftimi paraprak, të cilin e kishte bërë, ishte bazuar në burime ndërkombëtare.
“Të nderuara media. Lidhur me njoftimin paraprak të shpërndarë, i cili është bazuar në burime ndërkombëtare, tani kemi njoftime te reja që Albulena mund të jetë në një prej anijeve që ende nuk ka mbërritur në Gaza. Për çdo zhvillim të ri do t’ju informojmë menjëherë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, ka njoftuar Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist.
(19:34) – Aktivistja Albulena Fazliu në mesin e të ndaluarve nga forcat izraelite
Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se, në mesin e aktivistëve të ndaluar nga Izraeli gjatë Flotës Summud, është edhe Albulena Fazliu, e cila është nga Kosova e jeton në Gjermani, dhe angazhohet për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.
Sipas organizatës, Albulena Fazliu është njëra nga mbi 500 aktivistë nga 40 vende të botës që u ndaluan nga Ushtria e Izraelit gjatë përpjekjes për të hapur një koridor humanitar.
“Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, i ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të kërkojë nga Izraeli lirimin e Fazliut.
“Ndër aktivistët/et nga 40 vende të botës që kanë mësyrë të hapin korridor humanitar, është edhe Albulena Fazliu. Albulena është refugjate e luftës nga Kosova në Gjermani e cila tashmë është kidnapuar nga Izraeli. Shteti i Kosovës duhet të kërkojë menjëherë që Izraeli ta lirojë Albulenën dhe aktivistet e aktivistët tjerë dhe njëherë e mirë të marrë pozicion politik dhe të thërrasë për ndalim të shfarosjes së popullit palestinez nga Izraeli. Shteti dhe shoqëria jonë duhet të qëndrojnë krah Albulenës, popullit palestinez dhe gjithësecilës/it që është duke u angazhuar që Palestina të jetojë, dhe të jetojë e lirë”, thuhet në reagimin e “Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist”.
RTKlive ka kërkuar një përgjigjje nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, por deri në publikimin e lajmit nuk ka ndonjë përgjigjje lidhur me këtë rast.
Në mesin e qindra aktivistëve të ndaluar nga forcat izraelite pas ndërhyrjes në flotiljen humanitare për Gaza, është edhe aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg.