Është bërë përurimi i çerdhes së re gati gjysmë milionëshe në fshatin Godanc të Shtimes, gurthemeli i së cilës ishte vënë në tetorin e vitit 2023.

 

Përurimi u bë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu.

Kryeministri në detyrë tha se ky është investim në vlerë prej 414 mijë euro, me sipërfaqe prej 756 metra katrorë, me 5 klasa të kompletuara me pajisje dhe 72 shtretër për të gjitha grup-moshat e fëmijëve, përfshin gjithçka që është e nevojshme për edukimin e hershëm dhe mirëqenien e plotë të fëmijëve.

“Kjo është çerdhja e gjashtë në komunën e Shtimes dhe e pesta që është realizuar gjatë mandatit të kryetarit, Dr. Qemajl Aliu. Kjo tregon për standardin e lartë dhe punën e madhe që bëhet këtu, edhe në bashkëpunim me qeverinë qendrore dhe praktikisht kemi zbatuar programin tonë me vlerat tona, që kujdeset për ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha, nënat dhe fëmijët, pra një program social-demokrat, i cili respekton dinjitetin, të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë e në veçanti pra atyre të cilët i kanë nevojat e kërkesat më të mëdha”, tha Kurti.

Kreu në detyrë i qeverisë tha se, çerdhja është institucioni i parë arsimor, vendi ku fëmijët nisin e mësojnë dhe socializohen me bashkëmoshatarët e tyre e përgatiten për jetën në vijim.

“Ky pra është investim në themel të shtetit e të shoqërisë për të ardhmen e vendit e të popullit tonë, sepse Kosova që po e ndërtojmë është pikërisht Kosovë për të ardhmen e ku fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e shtetit tonë” .