Me rastin e fillimit të Muajit të Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, sot Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës fillon fushatën sensibilizuese kundër Kancerit të Gjirit.
Ministri në detyrë Arben Vitia tha se kontrollet e shpeshta në rastet e dyshimeve dhe mamografia janë shumë të rëndësishme në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje për parandalimin dhe shërimin e saj.
“Mamografia si shërbim kyç për diagnostikim vitin e kaluar shënoi një rekord në numrin e ekzaminimeve, ku pati mbi 1500 ekzaminime vetëm në nivelin tretësor shëndetësor, duke bërë të mundur diagnostikimin në faza shumë të hershme”, tha Vitia.
Vitia ritheksoi se pjesa thelbësore vazhdon të mbetet ndërgjegjësimi dhe vetëkontrolli.
Sipas tij, lajmi i mirë është se gjatë këtyre viteve ka pasur rritje në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Kurse kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është fushatë vjetore ndërkombëtare që synon edukimin për rendësin e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kacerit të gjirit të gratë dhe burrat në gjithë botën.
“Kjo fushatë nuk është vetëm e institucioneve, është e të gjithë neve e secilës e secilit prej nesh, vetëm të bashkuar si shoqëri mund të ndryshojmë statistikat dhe të shpëtojmë jetë’, tha Kurti.