Në Obiliq, është raportuar se një grua është sulmuar fizikisht nga një i dyshuari, me të cilin është në lidhje. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë arrestim. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent.

Po ashtu, në Prishtinë, një tjetër rast është raportuar ku gruaja dyshohet se është kërcënuar nga bashkëshorti i saj. Edhe në këtë rast nuk është raportuar për ndonjë arrestim, ndërsa prokurori është njoftuar për rastin.

Në një tjetër rast në Prishtinë, është arrestuar një e dyshuar pasi që ka sulmuar fizikisht nënën e saj. Nuk është raportuar për të lënduar, ndërsa pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Lipjan është arrestuar një i dyshuar pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie dhe një pistoletë lodër. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës vazhdon të trajtojë me prioritet të lartë të gjitha rastet që lidhen me dhunën në familje dhe inkurajon qytetarët që të raportojnë çdo formë të dhunës, me qëllim të mbrojtjes së viktimave dhe ndjekjes ligjore të autorëve.