Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit gjatë së shtunës pasdite në Prishtinë, e sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur në rrethana të panjohura.
Policia ka bërë të ditur se i plagosuri ka pranuar tretman mjekësor, derisa dy të dyshuarit për rastin, ende janë në arrati. Rasti po cilësohet si vrasje në tentativë.
“Raportohet se në rrethana ende të pa njohura dy të dyshuar meshkuj kosovarë me armë zjarri kishin plagosur viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja dhe një fishek. Të dyshuarit gjenden në arrati, përderisa rasti po hetohet nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.