Me përulje të thellë po i nderojnë bashkëluftëtarët dëshmorë, luftëtarë në luftërat çlirimtare në Kroaci dhe Kosovë.

Janë këta rreth 30 veteranë të luftës së Kroacisë dhe UÇK-së që sot e kanë nisur ditën në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Gllogjan duke vendosur kurora lulesh pranë përmendoreve të tyre

“Ne vijmë nga një herë në vit  me i vizitu varrezat e dëshmorëve shqiptarë që kanë dhënë jetën në Kroaci por që rivarrimin e tyre  ekemi bërë në Kosovë. Për të konstatuar mu këtë që u përmend luftën e përbashkët kundër armikut të përbashkët, edhe me e pa e me ju tregue edhe shokëve kroat që jan me ne se cfarë mundi e sakrifice kanë dhanë shqiptarët për çlirimin e vet”, tha Tomë Kaçinari, kryetar i Shoqatës së Veteranëve vullnetarë të luftës në Kroaci dhe Kosovë.

“ Ne kemi obligim që mos ti harrojmë asnjëherë sepse ata ranë për çlirimin e vendit. Nuk ka meritë apo vlerësim më të lartë se sa kur njeriu flijohet dhe jep jetën për atdheun e vet”, theksoi Esat Çollaku, Kryetar i Shoqatës së Shqiptarëve Mbrojtës të Luftës në Kroaci.

Gjatë  luftës në Kroaci  ishin të angazhuar mbi 2800 luftëtarë shqiptarë nga Kosova në mesin e të cilëve edhe heronjtë, Fehmi e Xhevë Laldrovci dhe Bekim Berisha. Po ashtu 87 prej tyre ranë dëshmorë për mbrojtjen dhe lirinë e  Kroacisë.