Çerdhe të reja, ujë të pijshëm në çdo lagje dhe investime në infrastrukturë u premtuan në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë, ku u prezantua programi i kandidatit për kryetar, Valon Hoti.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se në Malishevë ndjehet fuqia e një Kosove të gjallë, e cila bashkohet me idealin e lirisë.
Sipas tij, Malisheva ka dhënë djem e vajza në luftë, bukë, zemër dhe nder, ndaj kush flet për Malishevën duhet të flasë me nderim të përjetshëm.
“Me Valon Hotin, Malisheva ngrihet lart. Fitorja e Valonit është fitore e Malishevës, e fitorja e Malishevës është fitore e Republikës së Kosovës. Ujë për çdo fshat e lagje – e them para jush se ky premtim do të bëhet realitet, sepse një Malishevë pa ujë është padrejtësi që nuk tolerohet. Kur Valoni flet, ajo bëhet realitet. Ju garantoj se rruga Llapçevës deri te Mirusha dhe shumë rrugë të tjera do të jenë shembull i transparencës me Valon Hotin kryetar të Malishevës,” tha Kurti.
Valon Hoti, kandidat për kryetar të Malishevës nga radhët e Vetëvendosjes, tha se sot po hapet një kapitull i ri për Malishevën, një etapë e re për vendin që është larë me gjak në luftë.
“Asnjë shtëpi pa ujë, asnjë familje pa këtë të drejtë themelore. Nuk do të ndalim asnjë ditë pune derisa çdo fshat dhe familje në Malishevë të ketë ujë 24 orë në ditë. Në bashkëpunim me KOSTT dhe qeverinë do të ndërtojmë nënstacionin e energjisë, dhe kjo do të realizohet brenda 30 muajve të parë të qeverisjes sonë. Asnjë familje dhe asnjë biznes nuk do të mbetet pa energji elektrike,” tha Hoti.
Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje tha se kandidati Hoti ka një angazhim të madh, është punëtor i palodhshëm dhe ka energji që nuk i shteron kurrë.
“Valoni do t’u shërbejë të gjithëve pa dallim, me programin e tij që në qendër ka shërbimet publike, infrastrukturën moderne dhe investimet në arsim e rini, sepse rinia është e tashmja dhe e ardhmja jonë,” tha Haxhiu.
Për Malishevën u premtua ndërtimi i pesë çerdheve të reja gjatë mandatit katërvjeçar, rrjet modern i kanalizimit, impiante për trajtimin e ujërave të zeza, stacion i ri i autobusëve, muzeu i Nexhmije Pagarushës në Pagarushë, etj.