Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, 31 familjet e strehuara në ish-Shkollën e Rezervave në Shkodër kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen e gjyqtarit dhe kanë reaguar publikisht, duke deklaruar se familja Shkambi nuk zotëron asnjë dokument pronësor për godinën në fjalë.
Ata gjithashtu akuzuan këtë familje për falsifikime dhe manipulime të dokumenteve në procesin gjyqësor që vazhdon prej vitesh.
Në emisionin “3D” në RTSH 1, gazetarja Lusi Përgjegji dha detaje të historisë së konfliktit mes 31 familjeve dhe të afërmve të autorit të ngjarjes, 30-vjeçari Elvis Shkëmbi.
“Ka nisur një seancë në orën 14:00 në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku gjyqtari fillimisht ka relatuar pretendimet e të dyja palëve dhe më pas ka dhënë vendimin. Seanca ka zgjatur më shumë se një orë dhe rreth orës 13:45, kur gjyqtari Kalaja vendosi për çështjen në favor të 31 familjeve të cilat pretendonin pronësinë e kësaj godine dhe kundër autorit Elvis Shkëmbi, në atë moment 30-vjeçari nxori armën dhe ka qëlluar tri herë në drejtim të gjyqtarit. Më pas ka qëlluar edhe ndaj palës tjetër që fituan seancën, babë e bir. Rakip K. i është nënshtruar edhe një ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin e Traumës. Ai mori një plagë në kraharor dhe në këmbë, ndërsa i biri, një plagë në dorë.
Sa i përket 30-vjeçari, pasi ka kryer aktin e rëndë ndaj gjyqtarit, i ka dorëzuar armën oficerit privat të sigurisë së Gjykatës dhe ka dalë menjëherë në oborrin e gjykatës, ku ka pritur për disa minuta dhe policia më pas e ka prangosur. Ai nuk bëri rezistencë dhe është vetëdorëzuar. Policia sekuestroi edhe armën e krimit. Mësohet se në deklarimet e para para policisë ai ka thënë se e kreu veprimin pasi gjyqtari dha një vendim kundër familjes së tij, duke i hequr pronësinë e godinës që pretendonin në qytetin e Shkodrës. Ai nuk ka shfaqur pendesë.
Historia e këtij konflikti daton në vitin 1992 kur 31 familje, me vendim të bashkisë Shkodër janë vendosur në një repart të rezervave të ndërtimit, një godinë shtetërore nga koha e komunizmit. Bashkia e Shkodrës ka vendosur që këta persona, një pjesë e tyre edhe me funksione publike, të merrnin një banesë në këtë godinë. Më pas, familja Shkambi në vitin 2012 ka nisur një proces gjyqësor fillimisht në Gjykatën e Shkodrës, ku e ka humbur këtë proces në shkallën e parë. Në Gjykatën e Apelit çështja shqyrtohej prej vitit 2020. Sa i përket familjes Shkambi, ata pretendojnë se kanë dokumente pronësie për këtë pronë. Ata kishin kryer edhe një akt shitjeje mes dy vëllezërve, pra, babai i autorit dhe vëllai, që ishte futur si pjesë e seancës. Për sa i përket xhaxhait të autorit të ngjarjes, ai kishte dhënë edhe më herët deklarime në medie. Sipas tij, vendimi i Shkallës së Parë i Shkodrës ishte i padrejtë,” tha gazetarja.