Raporti i Bankës Botërore për rajonin e Ballkanit ka paraqitur të dhëna edhe për ekonominë e Kosovës. Në raport thuhet se në vitin 2025 presionet nga inflacioni janë rikthyer, të nxitura nga çmimet më të larta të energjisë dhe ushqimeve, duke ulur kështu të ardhurat reale të disponueshme.
Raporti i Bankës Botërore, thekson se ekonomia e Kosovës ka dëshmuar një nivel të konsiderueshëm qëndrueshmërie, pavarësisht sfidave të shtuara si në skenën e brendshme ashtu edhe në atë ndërkombëtare.
Në një periudhë kur shumë ekonomi të rajonit ballafaqohen me tronditje të shumta, Kosova ka arritur të ruajë një ritëm të rritjes ekonomike pranë 4 për qind në afat të mesëm, duke mbështetur reduktimin gradual të varfërisë dhe konsolidimin e stabilitetit makroekonomik.
“Pas një rritjeje prej 4.4 për qind në vitin 2024, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar lehtësisht në fillim të vitit 2025, me një rritje prej 3.6 për qind në tremujorin e parë, për shkak të dobësimit të kërkesës së jashtme dhe uljes së konsumit të familjeve. Megjithatë, konsumi privat mbetet shtytësi kryesor i rritjes, i ndihmuar nga rritja e pagës minimale dhe rritja reale e pagave, e cila në vitin 2024 arriti në mbi 10 për qind”, thuhet ne rasport.
Në të njëjtën kohë, rikthimi i presioneve inflacioniste në vitin 2025 të nxitura nga çmimet më të larta të energjisë, ushqimeve dhe shërbimeve bazë ,ka filluar të gërryejë të ardhurat reale të disponueshme të familjeve, duke krijuar presion mbi fuqinë blerëse. Inflacioni i përgjithshëm arriti në 4.3 për qind në korrik 2025, ndërsa inflacioni bazë mesatar u ngjit në 1.5 për qind për periudhën janar-korrik.
Nga ana tjetër, sipas raportit, investimet private dhe publike kanë shënuar një rritje të ndjeshme në fillim të vitit, me formimin bruto të kapitalit që u rrit me mbi 13 për qind, duke nxitur aktivitet në ndërtim dhe prodhim.
“Sektori financiar gjithashtu ka pasur një zgjerim, falë rritjes së kërkesës për kredi dhe shërbime bankare. Megjithatë, flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte (IHD) dhe remitancave kanë qenë më modeste sesa pritej, duke e lënë rritjen e lartë të importit pa mbështetje të mjaftueshme në anën e jashtme. Si rezultat, deficiti i llogarisë korrente është zgjeruar”, theksohet ne raport.
Në aspektin fiskal, qeveria ka ruajtur një qëndrim të kujdesshëm, me të ardhura tatimore të qëndrueshme që kanë mbështetur një politikë fiskale të disiplinuar. Rreziqet në sektorin fiskal dhe atë financiar mbeten të ulëta, duke ofruar një bazë të qëndrueshme për menaxhimin makroekonomik.
Raporti thekson se parashikimet për afatin e mesëm mbeten relativisht pozitive, me rritje ekonomike që pritet të ruhet në nivelin 3.8 – 4 për qind, e mjaftueshme për të mbështetur një reduktim të mëtejshëm të varfërisë dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Megjithatë, sfidat afatgjata janë ende të pranishme.
Një ndër kërcënimet më të menjëhershme vjen nga pasiguria politike: vonesat e gjata në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit po rrisin pasiguritë në treg dhe mund të ndikojnë negativisht në vendimet investuese, si të brendshme ashtu edhe të huaja. Mungesa e një qeverie funksionale ngadalëson procesin e reformave strukturore, të domosdoshme për të përmirësuar klimën e biznesit, për të fuqizuar kapitalin njerëzor dhe për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Perspektiva: Nevoja për reforma dhe përdorim më të mirë të kapitalit njerëzor
Ekonomia e Kosovës vazhdon të përballet me pengesa strukturore siç janë:
shkalla e ulët e diversifikimit ekonomik,
pjesëmarrja e kufizuar e grave në tregun e punës,
emigrimi i vazhdueshëm i të rinjve,
dhe një sektor privat ende i përqendruar në ndërmarrje mikro dhe të vogla me kapacitet të kufizuar rritjeje.
Në këtë kontekst, zbatimi i reformave të thella për fuqizimin e kapitalit njerëzor, mbështetja për ndërmarrjet inovative dhe përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve publike janë jetike për të siguruar një rritje ekonomike më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, thekson raporti.