Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në konferencë për media, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka përfunduar me sukses përgatitjen e Planit të Rritjes dhe ka qenë ndër të parat që e ka dorëzuar atë, por procesi nuk po mund të vazhdojë për shkak të mungesës së Kuvendit funksional.
Ai i ka bërë thirrje subjekteve politike që të mos bëhen pjesë e bllokadës institucionale dhe të mos vendosin kushte irracionale që pengojnë ecjen përpara të vendit.
“Sa i përket Planit të Rritjes, ne si qeveri kemi bërë një punë të jashtëzakonshme. Kemi qenë të parët që kemi dorëzuar planin e rritjes. Situata është e tillë që nuk kemi Kuvend. Ne si qeveri, kurdo që Kuvendi është i gatshëm, do të shkojmë tutje. Edhe një herë, kjo është thirrje për subjektet politike që të mos bëhen pjesë e bllokadës, që ta zvarrisin procesin, të mos qesin kushte irracionale dhe t’i lënë inatet anash,” tha Murati.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në konferencë për media, ka folur për çështjen e buxhetit të Kosovës vitit 2026.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, foli edhe për ndarjet me nga 100 euro për studentë.
“Po besoj që jeni të njoftuar që muaji akademik fillon tani në këtë muaj dhe kjo është arsyeja, sepse po të kishte filluar viti akademik më herët, kjo do të kishte ndodhur më herët, ose po të kishte filluar muaji akademik në janar të vitit të ardhshëm, kjo do të kishte ndodhur në janar të vitit të ardhshëm. Pra, kjo është ndërlidhur me vitin akademik dhe është një premtim, pra bursa e mobilitetit është bërë si premtim në janar të këtij viti. Ne kemi supozuar që deri më tani të ishin përmbyllur procesi i formimit të institucioneve të reja dhe ky premtim të fillonte zbatimin në vitin e ri akademik, por meqë jemi në situatë si qeveri në detyrë, kjo nuk na ka ndaluar që të vazhdojmë tutje dhe ta zbatojmë këtë premtim si Qeveri Kurti 3, pra ta zbatojmë për këtë vit akademik. Pra, krejt çfarë mund të them është se ndërlidhja është bërë me vitin e ri akademik. Sa i përket mbështetjes për studentë, mbështetja e njëhershme nuk është hera e parë që bëhet; edhe viteve të mëparshme është bërë kjo,” tha Murati.