Një nxënës i mitur, 13-vjeçar, është kapur me një armë zjarri në hapësirat e një shkolle në Ferizaj. Arma ishte në pronësi të prindit të tij.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar se rreth orës 12:30, njësiti i planit operativ “Siguria në shkolla” nga stacioni policor i Ferizajt është njoftuar se një nxënës i mitur, 13-vjeçar, ishte parë me një armë zjarri në hapësirat e shkollës.
Policia ka reaguar menjëherë dhe gjatë kontrollit ka gjetur armën (pistoletë) pa fishekë. Arma ishte në pronësi të prindit të nxënësit, i cili posedonte leje të rregullt për mbajtje të armës. Arma e zjarrit dhe municioni janë konfiskuar nga prindi me proces të rregullt policor.
I mituri, për shkak të moshës, nuk është intervistuar, në përputhje me ligjin. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit – Departamenti për të Mitur, i cili ka iniciuar shënim zyrtar, nën kompetencë të prokurorit për veprime të tjera.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë poseduesit e armëve me leje, e veçanërisht prindërit, që të sigurojnë armët e tyre në mënyrë të sigurt, duke parandaluar qasjen e fëmijëve apo personave të paautorizuar, me qëllim të ruajtjes së jetës dhe sigurisë publike.