DW
Sipas një studimi të ri, kapacitetet diellore dhe të erës po rriten më shpejt se kërkesa për energjinë elektrike në shkallë botërore.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, energjia e rinovueshme e tejkaloi për herë të parë qymyrin, i cili deri tani ka qenë burimi më i madh për provimin e energjisë elektrike. Studiuesit e quajnë “ndryshim historik”.
Qendra kërkimore për energjinë botërore, “Ember”, analizoi të dhënat e 88 shteteve, të cilat në tërësi përbëjnë 93% të kërkesës botërore për energji elektrike. “Po shohim shenjat e para të një pike kthese me rëndësi thelbësore” – tha në një deklaratë Małgorzata Wiatros-Motyka, analiste me përvojë e energjisë. “Energjia diellore dhe ajo e erës po rriten me ritme të shpejta për të përballuar oreksin e vazhdueshëm botëror. Kjo shënon kthesën historike, pasi energjia e pastër po ecën paralelisht me kërkesën në rritje”.
Sipas analizës së saj, prirja e re botërore ishte dukshëm e mbizotëruar nga ekonomitë më të mëdha botërore. Në vende si India dhe Kina, rritja e madhe e energjisë së rinovueshme nënkupton përdorim më të ulët të qymyrit dhe gazit.
Sidoqoftë, në Shtetet e Bashkuaradhe Bashkimin Europian, u rrit varësia tek burimet ndotëse. Në gjysmën e parë të këtij viti, SHBA-të patën një rritje të kërkesës për energji, e cila tejkaloi zgjerimin e energjisë së rinovueshme dhe çoi në përdorimin më të madh të lëndëve djegëse fosile.
Rritje e fortë dhe e vazhdueshme e energjisë së rinovueshme
Sipas një studimi të kryer nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), ritmi i rritjes së energjisë së rinovueshme do të vazhdojë të jetë i lartë edhe gjatë viteve të ardhshme. Energjia diellore parashikohet të udhëheqë pjesën më të madhe të kësaj rritjeje, veçanërisht nga kostot e ulëta dhe proceset më të shpejta të miratimit.
E dyta renditet energjia e erës, e ndjekur nga burimet hidrike, bioenergjia dhe energjia gjeo-termale.
Tregjet në zhvillim si Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika po udhëheqin zgjerimin e shpejtë të energjisë së rinovueshme. Kjo po mundësohet nga qeveritë e këtyre rajoneve, të cilat po zbatojnë reforma që favorizojnë burimet e energjisë së gjelbër dhe po vendosin objektiva ambicioze.
Veçanërisht në Kinë, rritja e përdorimit të energjisë së rinovueshme është e fortë, sepse vetëm gjatë vitit 2024, vendi investoi në këtë sektor 625 miliardë dollarë (535 miliardë euro) në shkallë botërore.
Në total, energjia diellore dhe ajo e erës u rritën më shpejt se kërkesa për energji. Analistët e „Ember” thonë se ky është tregues se në planin afatmesëm, burimet e energjisë së pastër do të zëvendësojnë burimet e lëndëve djegëse fosile.