Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai drejton ka marrë mbi 180 mijë vota për kuvendet komunale, gjë që e bën të dalë parti e parë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Duke falënderuar kandidatët për kryetarë komunash për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, Abdixhiku ka theksuar se ata që nuk fituan nuk duhet ta shohin këtë si humbje.
“Sot, disa e festojnë fitoren. Imriu, Iliri e Ruzhdiu festojnë me raund të parë. Festojmë për ta të gjithë. E merituat me punë, me durim e me besim. Urime për çdo sukses që e keni ndarë me qytetarët tuaj, për çdo fitore që është fitore e përbashkët e LDK-së dhe e gjithë Kosovës.
Disa të tjerë, nëntë sosh, i kemi në garë për një raund të ri. Le të fitojmë!
Ndërsa të tjerët, që nuk e morën rezultatin që e merituan kokën lart! Mos e merrni si humbje, sepse gara nuk është e tillë. Është përvojë, është themel për fitoret e ardhshme, është dëshmi se LDK-ja ka njerëz të guximshëm që nuk dorëzohen kurrë. Politika është garë e gjatë, maratonë. Dhe ne, si LDK, kemi dëshmuar se dimë të fitojmë, por edhe dimë të qëndrojmë me dinjitet kur na mungon vetëm një hap deri te fitorja”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Sipas tij, LDK-ja sot është më e fortë dhe më e organizuar se kurrë më parë.
“LDK ka sot mbi 180 mijë vota për kuvende komunale dhe, pa diskutim, del partia e parë nga këto zgjedhje lokale. Rrugëtimi ynë vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën besë dhe me të njëjtin qëllim. Ju faleminderit nga zemra për fushatën”, ka theksuar ai.