ATSH
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot, gjatë një deklarate për mediet nga selia blu, se Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter për integrimin në Bashkimin Evropian, përveç atij me natyrë gjeostrategjike.
Duke iu referuar vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian në vendin tonë, Ursula von der Leyen, Berisha tha se “PD është forca politike që e anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës, në NATO, dhe që ka firmosur MSA-në, liberalizimin e vizave dhe ka merituar rekomandimin e KE për hapjen e negociatave”.
“Në fakt, sot është një ditë me shumë ngjarje, por ne po e nisim nga ato të shtëpisë sonë.
Sot, me vizitën në Tiranë, nis turin e saj në vendet e rajonit presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Me këtë rast, në emër të PD-së, i uroj asaj mirëseardhjen në Shqipëri dhe sukses në turin e saj”, tha Berisha.
“Sikundër shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen më të thellë taksapaguesve evropianë, Komisionit Evropian dhe qeverive të BE-së për ndihmën bujare e të jashtëzakonshme që ndër vite e dekada u kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve”, vijoi ai.
“Dua gjithashtu të falënderoj për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, akt që përbën një lehtësim të madh për qytetarët shqiptarë dhe për të gjitha ato mikrotransaksione që ata kryejnë me të afërmit e tyre në Evropë e më gjerë”, shtoi Berisha.
“Por ky është gjithashtu një rast për të deklaruar publikisht se PD-ja, forca politike që e anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës, në NATO, dhe që ka firmosur MSA-në, liberalizimin e vizave dhe ka merituar rekomandimin e KE për hapjen e negociatave – të cilin e pengoi me qëllim të keq Edi Rama – mbështet fuqishëm dhe pa asnjë rezervë integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer për vendin dhe qytetarët e saj”, theksoi Berisha.
Kreu i PD-së shtoi se “PD-ja thekson se vetëm një proces integrimi i bazuar në meritë, në funksionimin e shtetit ligjor, zgjedhjet e lira dhe ekonominë e tregut të lirë, është në interesin më të mirë të shqiptarëve”.
“Në këtë kuadër, PD-ja thekson se aktualisht Shqipëria, përveç kriterit gjeostrategjik dhe politikës së jashtme, nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin në BE.
Nëse i referohemi popullit shqiptar, shtoj se në këto vite shqiptarët janë larguar nga vendi i tyre më shumë se në çdo kohë lufte, fatkeqësish natyrore apo shkaqe të tjera.
Gjatë qeverisjes së Edi Ramës janë larguar nga Shqipëria vetëm drejt hapësirës evropiane 1 milion e 99 mijë qytetarë”, përfundoi Berisha.