Numri i fluturimeve ajrore dhe udhëtarëve që kanë udhëtuar me aeroplan ka shënuar rritje të ndjeshme në muajin gusht 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëri të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas të dhënave të ASK-së, në gusht janë realizuar 1 milion e 601 mijë fluturime, që paraqet një rritje prej 10.1% krahasuar me gushtin e vitit 2024. Po ashtu, numri i udhëtarëve ka arritur në 512,955, ose 14.6% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, çmimet e biletave ajrore kanë shënuar rritje prej 22.5% në shtator 2025, krahasuar me shtatorin e kaluar, thuhet në raportin e njëjtë të ASK-së.
Në sektorin e transportit hekurudhor, numri i udhëtarëve në gusht 2025 ishte 7,732, që paraqet një rritje prej 54.8% krahasuar me gushtin 2024. Megjithatë, sasia e mallrave të transportuar ishte zero, duke reflektuar një mungesë aktiviteti në këtë segment.
Në fushën e komunikimeve, të dhënat për gushtin 2025 tregojnë një rritje të lehtë në përdorimin e shërbimeve të telefonisë mobile. Përdoruesit me parapagim (prepaid) arritën në 1,741,080 përdorues, ose 0.19% më shumë se në gushtin e vitit të kaluar, ndërsa ata me kontratë (postpaid) ishin 320,058, që përbën një rritje prej 3.42% në krahasim me gushtin 2024.