Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë marrë vendim me të cilin ia kanë vazhduar masën e paraburgimit Hashim Thaçit, në rastin ku bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ndërkohë, procesi gjyqësor në Hagë vazhdon të cilësohet i padrejtë dhe politik nga organizatat e dala nga lufta, njohës të drejtësisë dhe së fundmi edhe nga figura eminente që kanë qenë në këtë proces në rolin e dëshmitarëve të mbrojtjes.
Njohës të drejtësisë në vend e organizata të shumta, vazhdojnë edhe më tej të mbajnë qëndrimin se proceset gjyqësore në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, janë të padrejta dhe kanë prapavijë politike.
Padrejtësitë e procesit përfshijnë shkelje të shumta, si mohimi dhe abuzimi me të drejtat e njeriut ndaj të akuzuarve, mbajtjen në paraburgim për pesë vite, si dhe dyshimet për kredibilitetin e dëshmitarëve që kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.
Ndërkohë, shfrytëzimi i provave të ofruara nga prokuroria serbe, ngre pikëpyetje serioze për legjitimitetin e procesit.
Në Hagë është dëshmuar edhe për “lopë të humbura”. Dëshmitari Agim Idrizi, i ftuar nga prokuroria, pretendoi se ishte ndaluar nga disa anëtarë të UÇK-së gjatë vitit 1999, dhe se i ishte vjedhur një lopë gjatë kohës së luftës.
Në këtë proces gjyqësor Prokuroria ka thirrur dëshmitarë të ndryshëm, përfshirë gazetarë që kanë raportuar gjatë luftës. Pyetjet e prokurorisë janë zgjeruar deri te dasmat e organizuara në atë kohë. Në një rast, u përpoq të përdorej një dasmë si provë në proces, vetëm sepse aty shiheshin disa nga ish-krerët e UÇK-së. Ka pasur raste kur gjyqtarët e Dhomave të Specializuara kanë ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë, duke theksuar se prokuroria nuk ka obligim të pyesë dëshmitarët për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
Në një dëshmi tjetër, dëshmitari Rrustem Tetaj ka këmbëngulur se nuk ka parë që UÇK-ja të ketë kryer rrëmbime. Ndërkohë, gjyqtarët kanë shtuar pyetje që mbështeteshin në thashetheme të luftës. Në dëshminë e Hajrush Kurtajt, gjykata ka parashtruar pyetje spekulative, duke e pyetur dëshmitarin se “nëse krimet do të ishin kryer, kush do të ishte përgjegjës”, çka u interpretua si qasje imagjinare. Termi “spekulativ” është përdorur edhe në raste të tjera nga vetë gjyqtarët në sallë.
Në këtë kontekst dëshmitari i mbrojtës James Rubin, në gjykatore ia ka bërë me dije prokurorisë se kishte skepticizëm të lartë ndaj procesit të gjykimit. Ai nuk pranoi të përgjigjej gjatë periudhës përgatitore, duke thënë se kishte arsye për këtë. Sipas Rubin, gjykimi pesëvjeçarë dhe shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj ish-krerëve të UÇK-së përbëjnë një padrejtësi të thellë. Në përfundim të fjalës së tij, ai e cilësoi këtë proces si gjykim politik. Nga fundi i muajit, mbrojtja do të paraqitet me dëshmitarin e radhës. Qytetarë të shumë përgjatë këtyre viteve kanë protestuar në Kosovë e jashtë saj.