Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë të ditur se përgatitjet për këtë kurs tashmë kanë nisur në bashkëpunim me instruktorin e UEFA-s, Frank Wormuth.

Sipas tij, është duke u punuar në ndërtimin e strukturës së kursit, përmbajtjen e moduleve teorike e praktike, si dhe standardet që do të ndiqen gjatë procesit.

“Në dhjetëvjetorin e anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, FFK do të fillojë me organizimin e kurseve të Licencës UEFA Pro. Ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe një arritje e jashtëzakonshme për futbollin kosovar, pasi po realizohet në një afat rekord”, ka thënë Ademi.

Ai ka shtuar se kjo arritje është dëshmi e zhvillimit profesional që ka ndërtuar FFK dhe e përkushtimit të trajnerëve kosovarë.

Kursi për Licencën UEFA Pro pritet të nisë në vitin 2026.