Inspektorati Qendror i Punës ka lansuar Sistemin Digjital të Inspektimeve të Punës si një platformë drejt digjitalizimit dhe efikasitetit të proceseve të inspektimeve, duke përmirësuar transparencën, mbikëqyrjen dhe shërbimet ndaj punëtorëve dhe punëdhënësve në Kosovë.

 

Nga tani, inspektorët e punës do të mund të kryejnë punën e tyre në terren më shpejt, më saktë dhe me më shumë transparencë, falë pajisjeve digjitale që u janë shpërndarë në kuadër të këtij projekti. Kështu u tha gjatë ceremonisë së lansimit, përmes shpërndarjes së 55 tabletëve dhe printerëve.

Lum Vranica, ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Inspektoratit të Përgjithshëm, tha se ky është një hap i madh drejt modernizimit të administratës së punës dhe përmirësimit të kushteve të punës në vend.

“Ky është një hap drejt modernizimit, transparencës dhe efikasitetit që ndihmon në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, tha ai.

Ndërsa Rizah Plakolli, ushtrues detyre i drejtorit të Inspektoratit të Punës, theksoi se ky projekt shënon fillimin e një epoke të re për institucionin që ai drejton.

“Është fillimi i një epoke të re të Inspektoratit. Do të vazhdojmë të punojmë në trajnimin e stafit dhe përmirësimin e kushteve, që puna në Kosovë të jetë më e sigurt dhe dinjitoze. Ne po ndërtojmë një sistem modern dhe efikas në shërbim të qytetarëve”, theksoi ai.

Ky projekt është mbështetur nga Qeveria e Suedisë dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).