Një sasi e konsiderueshme armësh dhe pajisjesh ilegale është konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë një operacioni në fshatin Mekinice të komunës së Leposaviqit.
Policia njofton se aksioni u ndërmor pas një denoncimi nga një qytetare në Mitrovicën e Veriut, e cila raportoi se ishte kanosur nga bashkëshorti i saj dhe se i njëjti posedonte armë zjarri.
Sipas njoftimit pas raportimit, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar dhe kontaktuar të dyshuarin, i cili ka pranuar posedimin e armëve.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur dhe sekuestruar: 3 pushkë automatike të llojit AK-47, 1 pushkë ajrore, 1 revole dhe një shkrepës në formë revoles, 55 fishekë, 1 bajonetë dhe 2 thika, 5 karikatorë për AK-47 dhe 1 për revole, 1 këllëf revoleje, 1 xhaketë ushtarake dhe 2 këmisha të policisë së Serbisë.
I dyshuari, S.T., 49 vjeç, rezulton të ketë një urdhër mbrojtës në fuqi të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, lidhur me një rast të mëhershëm të dhunës në familje.
Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë penale për “Kanosje”, “Mospërfillje e urdhrit të gjykatës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Tutje Policia njofton se ndërkohë, gjatë procesit të kontrollit, babai i të dyshuarit, N.T., 70 vjeç, ka deklaruar se njëra nga armët AK-47, pushka ajrore, bajoneta dhe uniformat i përkisnin atij. Edhe ndaj tij është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, por është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit me prokurorin e shtetit.
Policia Rajonale e Mitrovicës së Veriut rithekson përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë publike dhe rendit ligjor, duke ftuar qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.