Disa objekte të drurit të traditës së këtij qyteti, janë grumbulluar në një kënd të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe presin të restaurohen, pasi tregojnë historikun e jetesës së banorëve.

Venera Rada, trajnere e punëve artizanale ka marrë përsipër restaurimin e disa artefakteve prej druri që datojnë që në shekullin e 19-të.

” Jemi duke e rinovuar një eksponat këtu në Lidhjen e Prizrenit, është një dollap muri, i shekullit të 19-të, po mundohemi me ruajt atë qa ka mbet prej kësaj. Duhet punë e vazhdueshme, mirëmbajtje e vazhdueshme” ka thënë Rada, raporton RTKlive.

Interesim për këtë trashëgimi kulturore ka shprehur edhe studentja e Antropologjisë, Adelina Berisha.

“Mua më ndihmon sidomos të pjesa e restaurimit të artefakteve të drurit, po ashtu studimet baçellor në Antropologji, të ndihmojnë edhe në pjesë të tjera të konservimit, dhe të restaurimit si te pjesa e veshjeve e tjera. Artefakti është mjaft i vjetër dhe shihet edhe prej dekoreve që i përmban”, ka thënë Berisha.

Motivet e këtyre objekteve të gdhendura në dru në atë kohë ngjallin kureshtjen e restaurimit edhe tek brezat e rinj”, thotë etnologia Delvina Bytyqi.

“Gjithmonë është një interesim shumë i madh prej të rinjve sidomos, si dhe familjarëve të ndryshëm, të cilët vijnë interesohen për punimin dhe teknikat e punës”, ka thënë Bytyqi.

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore vazhdimisht merret me restaurimin dhe konservimin e eksponateve që u përkasin kohërave të ndryshme.