Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka hapur sonte zyrën ku më parë ishte selia e Degës së PDK-së në Drenas. Lladrovci, i cili fitoi postin e kryetarit të komunës me subjektin PDKRLL, pa mbështetjen e PDK-së, tha se do të ndihmojë PDK-në aty ku është në balotazh dhe është i gatshëm t’i shtrijë dorën për bashkëpunim.
“Nga ato zyre kemi korr fitore të njëpasnjëshme për PDK-në. Ne do të shkojmë atje dhe do të shkojmë për ta qu amanetin në vend. Nga këtu do të nisemi në betejen e re për fitore të reja të PDK-së, aty ku është në balotazh. Jam i gatshëm me i a shtri doren gjithsecilit. Partia e liderëve tanë, partia shtetndërtuese, partia e lirisë me vazhdu me qenë parti ashtu qysh e kanë lënë lideret tanë, jo ashtu qysh e kanë vendos me udhëheq do lider të ri, të cilët e kanë keqperdor rëndë besimin e logos”, tha ai.
Ai ka bërë të ditur se do të japë mbështetje për kandidatët në balotazh në Mitrovicë, duke përmendur këtu Arian Tahirin e Sokol Bashotën.
“Kam shumë miq që kanë shkuar në balotazh. Do të ndihmoj pa rezervë Arian Tahirin, pasi ai e meriton mbështetjen dhe Mitrovica është edhe vendlindja e kryetarit tim Kadri Veseli. Po ashtu, do të jap mbështetje edhe për mikun tim të vjetër dhe luftëtarin e UÇK-së, Sokol Bashota,” ka thënë Lladrovci.
Lladrovci theksoi se asnjë betejë nuk e ka humbur në jetë, duke shtuar se është anëtar i devotshëm i PDK-së dhe se gjatë viteve ka arritur ta dobësojë Vetëvendosjen në Drenas.
“Asnjë betejë nuk e kam humbur në jetën time. Nuk e di çka ka folur në konferencë. Ia bëj me dije ka katër vjet që e kam ulur Vetëvendosjen në Drenas, sepse njerëzit e Vetëvendosjes na janë bashkuar prej kohësh. Nga pesë asamblistët të VV-së ka përfunduar me dy asamblistë. Unë kam qenë jam dhe mbetem anëtar i devotshëm i disiplinuar i PDK-së”, shtoi ai.