Sot, pas shumë vitesh, Adem Tafaj, 82 vjeç, edhe pse në moshë të shtyrë dhe me kujtesë që po zbehet nga dhimbja, ka vendosur të thyejë heshtjen dhe për herë të parë rrëfen për vëllain Nuhiun dhe djalin Fatmirin.

Në vitin 1968, Nuhi Sadik Tafaj, 19 vjeç, shkoi në shërbimin ushtarak në Karlovcë, i veshur me tirqi, xhurdi dhe plis. Ai u identifikua menjëherë si shqiptar që nuk e fshihte identitetin. U keqtrajtua nga oficerët dhe, pas një përplasjeje me ta, vrau në vetëmbrojtje një oficer jugosllav. U dënua me 12 vjet burg dhe u transferua në kampin famëkeq të Goli Otokut.

Midis viteve 1970-1971, Nuhiu u zhduk pa gjurmë brenda atij burgu. Familja nuk mori kurrë një dokument zyrtar që të shpjegojë fatin e tij, por dyshojnë se u ekzekutua dhe u hodh në det, bashkë me Salih Krasniqin nga Prapaqani e disa shqiptarë të tjerë.

Njëzet vjet më pas, në vitin 1990, historia tragjike përsëritet me djalin e Ademit, Fatmir Tafaj, vetëm 20 vjeç. Ai u vra në kazermën ushtarake në Sisak, nga një ushtar maqedonas. Vrasja u arsyetua si “aksidentale” nga autoritetet jugosllave. Por për familjen, për fshatin, dhe gjithë shqiptarët që e përcollën Fatmirin me nderime, e vërteta ishte e qartë: një tjetër shqiptar i vrarë vetëm pse ishte shqiptar.

Adem Tafaj kërkoi drejtësi për vëllain dhe djalin duke shkuar personalisht në komandën e Armatës, por oficerët jugosllavë u zemëruan me të dhe e kërcënuan për shkak se nuk po pranonte versionin zyrtar që vrasjet ishin “aksidentale”.

Sot ndjehet keq që nuk ka bërë kurrë një padi dhe që nuk arriti të kërkonte drejtësi.

Në rrëfimin e tij, ai pranon se nuk e dinte si të vepronte:
“E kam pasë vështirë boll, sa atë ditë isha në gjendje me hi edhe vet në gropë… po çka me ba, ata shkun. E padi s’kom ba, se s’kom ditë. Mas vrasjes tyne, unë hupa krejt…”

Ky është një nga dhjetëra raste të ushtarëve shqiptarë të vrarë ose të zhdukur në Armatën Jugosllave, por rasti i familjes Tafaj është i veçantë: dy djem të vrarë nga e njëjta familje, dy breza të njëpasnjëshëm që përjetuan terrorin dhe vrasjen nga i njëjti sistem represiv.