Në përfundim të një takimi të mbajtur sot në ambientet e Gjykatës Themelore në Ferizaj, drejtuesit e Policisë Rajonale dhe të Gjykatës u dakorduan që bashkëpunimi ndërinstitucional të vazhdojë edhe në të ardhmen përmes takimeve të rregullta dhe koordinimit të përbashkët, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe forcimit të sundimit të ligjit.
Kryetari i Gjykatës, Mustaf Tahiri, falënderoi Policinë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e detyrave të përbashkëta ligjore. Ai vlerësoi lart përkushtimin institucional dhe profesional të Policisë Rajonale të Ferizajt.
Nga ana tjetër, drejtori rajonal i Policisë në Ferizaj, nënkolonel Faton Pllana, ritheksoi gatishmërinë e plotë për një bashkëpunim korrekt, profesional dhe brenda kornizës ligjore, duke theksuar se ky bashkëpunim është thelbësor për garantimin e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në rajon.
Në këtë takim pune, që u realizua me ftesë të Kryetarit të Gjykatës, u diskutuan çështje me interes të përbashkët për të dy institucionet, me fokus të veçantë në realizimin e urdhëresave gjyqësore, verifikimin e personave të përfshirë në procedura ligjore dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.