Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se personi i dyshuar është arrestuar menjëherë nga Policia e Kosovës.

“Një person ka gjuajtur me armë zjarri afër gjykatës. Nga të shtënat e armës së zjarrit janë lënduar rëndë dy persona, të cilët sipas informatave janë në gjendje të rëndë. Policia e Kosovës ka qenë efikase, duke arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes personin e dyshuar. Po ashtu, Prokurori i Krimeve të Rënda dhe Drejtori i Drejtorisë Rajonale në Pejë, si dhe të gjitha njësitet relevante, janë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Nikçi.

Aktualisht po kryhen veprimet hetimore në vendin e ngjarjes nga njësitet relevante. Dyshimet janë se me dy armë zjarri janë qëlluar viktimat nga personi i dyshuar.