Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka zhvilluar takim me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li.
Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, guvernatori paraqiti zhvillimet e fundit në ekonominë e Kosovës, duke përfshirë ecurinë e sektorit financiar, stabilitetin financiar dhe progresin në reformat strukturore.
“Ai shprehu mirënjohjen ndaj lidershipit të FMN-së për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së si dhe në zbatimin e mandatit”, thotë BQK-ja.
Gjithashtu thonë se, zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së, Bo Li ka vlerësuar progresin e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit financiar.
“Li vlerësoi progresin e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe zbatimin e suksesshëm të programeve dhe rekomandimeve të misioneve të FMN-së, duke përfshirë edhe shfrytëzimin e mjeteve nga programi i fundit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së dhe zbatimin e suksesshëm të programeve dhe rekomandimeve të misioneve të FMN-së, duke përfshirë edhe shfrytëzimin e mjeteve nga programi i fundit”.
Tutje thuhet se Li, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sistemit financiar të vendit.
“Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me mundësitë për të adresuar rekomandimet nga përditësimi i Rishikimi i Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), me fokus tek mekanizmat e stabilitetit financiar përmes rishikimit funksional të kornizës operacionale”, ka bërë të ditur BQK-ja.
Banka Qendrore vlerëson se takimi rikonfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e partneritetit institucional ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, në funksion të përmbushjes së objektivave zhvillimore dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike të Kosovës.
Delegacioni i BQK-së do të vazhdojë takimet bilaterale me përfaqësues të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore gjatë qëndrimit në Uashington.