Kombëtarja e Kosovës ka shënuar një arritje historike në renditjen më të fundit të FIFA-s, duke u renditur e 84-ta në botë, niveli më i lartë që prej anëtarësimit në këtë institucion.
Dardanët janë ngjitur 7 vende më lart krahasuar me renditjen e muajit të kaluar, falë fitores historike ndaj Suedisë në Goteborg dhe barazimit në shtëpi me Slloveninë. Nga dy ndeshjet e fundit, Kosova ka fituar 22.63 pikë, duke arritur gjithsej 1284.73 pikë në klasifikim.
Ky rezultat është një tjetër dëshmi e progresit të kombëtares kosovare dhe motivim për ndeshjet e ardhshme të nëntorit, ku Dardanët shpresojnë të kualifikohen për herë të parë në histori në Kupën e Botës.
Progres të rëndësishëm ka arritur edhe Kombëtarja e Shqipërisë, e cila është ngjitur 5 vende, duke u renditur e 61-ta me 1401.34 pikë. Kjo falë fitores madhështore ndaj Serbisë në Leskoc, për kualifikimet e Botërorit dhe fitores ndaj Jordanisë në miqësoren e zhvilluar në Tiranë.
Në renditjen globale, Spanja mbetet në vendin e parë, ndërsa Nigeri shënoi përparimin më të madh këtë muaj, duke u ngjitur 9 vende. Ishujt Faroe fituan më shumë pikë (+37.95), ndërsa Suedia humbi më shumë pikë (-27.63).