Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është përmbyllur numërimi i votave në 24 Qendra Komunale të Numërimit.
Ky proces ka përfunduar në Han të Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas dhe Vushtrri.
“Deri në orën 10:00 të së premtes, janë verifikuar: 1,903 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, 1,882 vendvotime për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Po ashtu, nga po këto 1,882 vendvotime, janë numëruar votat e kandidatëve për Kuvendet Komunale”, bëhet e ditur në njoftimin e KQZ-së.
Sipas tyre, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë Zgjedhjeve për kryetar komunash e atyre për Kuvende Komunale, , janë procesuar 3,785.
Në Qendrat e Numërimit dhe Rezultateve zhvillohen 3 aktivitete, verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, verifikimi i rezultateve të subjekteve politike si dhe numërimi i votave të kandidatëve për Kuvendet Komunale.
KQZ: Janë aprovuar mbi 29,000, pako me fletëvotime të ardhura nga votimi jashtë Kosovës, janë refuzuar rreth 3,900
Ndërkohë, KQZ-ja thotë se po vazhdon me vlerësimin e pakove me fletëvotime të ardhura nga votimi jashtë Kosovës, përmes postës.
Deri të premten, ora 10:00, nga pakot e pranuara, KQZ-ja tregon se janë vlerësuar mbi 33,000 pako.
“Janë aprovuar mbi 29,000, ndërsa janë refuzuar rreth 3,900. Arsyeja më e shpeshtë e refuzimit (3,328 pako): mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokumenti unik që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, bëhet e ditur në njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kanë thënë se në përfundim të procesit të vlerësimit, KQZ do të publikojë numrin e pakove të supozuara me fletëvotime që do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.