Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë njofton se sot, rreth orës 16:15, Stacioni Policor në Pejë ka marrë informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Hasan Murati”, në afërsi të Qendrës së Paraburgimit në Pejë.

 

Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë reaguar me shpejtësi dhe janë përgjigjur në vendin e ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të menjëhershme operative, është arrestuar një person i dyshuar për përfshirje në këtë incident.

Nga të shtënat me armë zjarri, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka sekuestruar si prova materiale dy armë të gjata të tipit AK-47, dy armë të shkurtra (revole), 149 fishekë dhe 16 gëzhoja.

Me urdhër të prokurorit kompetent, personit të dyshuar i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa hetimet po vazhdojnë me intensitet nga njësiti i hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e rastit, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.