Lëvizja Vetëvendosje është bërë parti e asociuar në Partinë e Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (PES) gjatë Kongresit të mbajtur në Amsterdam të Holandës. Kryetari i VV-së Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij theksoi rëndësinë e këtij statusi, rezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe kërkesat kryesore të vendit për heqjen e masave ndëshkuese dhe dorëzimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian.
Sipas Vetëvendosjes, Lëvizja ka ngritur statusin e saj në Partinë e Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (PES), duke u bërë parti e asociuar. Vetëvendosje thekson se ky status është më i larti që mund të arrijë një parti në një familje politike evropiane përpara se një shtet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. “Ky status është më i larti i një partie në një familje politike evropiane para se shteti të bëhet anëtar në BE”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Përveq Albin Kurtit, në kongres po marrin pjesë edhe Sekretari Organizativ, Alim Rama dhe anëtarja e kryesisë, Tinka Kurti. Në fjalimin e tij, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u shpreh për rëndësinë e këtij statusi dhe sfidat e Kosovës. Ai përmendi rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe proceset parlamentare në Kosovë.
Kurti theksoi kërkesat e Kosovës në nivel evropian, siç janë heqja e masave dhe dorëzimi i Pyetësorit të Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Përveç këtyre sfidave politike të menjëhershme, unë marr këtë mundësi për t’ju kujtuar se Kosova ka dy kërkesa kryesore në nivel evropian. Heqjen e plotë të ashtuquajtura masave ndëshkuese, të cilat janë provuar si të padrejta dhe të panevojshme; Dorëzimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian, vonesa e të cilit nuk mund të justifikohet nëse Bashkimi Evropian ndjek një proces bazuar në merita”, deklaroi Kurti.
Ai gjithashtu vuri në pah vendosmërinë e Kosovës për të qenë pjesë e familjes evropiane.
“Në të vërtetë, unë riafirmoj vendosmërinë tonë të fortë për të qenë pjesë e familjes evropiane dhe për të kontribuar në zgjidhjet tona të përbashkëta ndaj sfidave globale që dobësojnë kohezionin e Bashkimit.”
Kurti foli edhe për arritjet e qeverisë së tij në fushat e sundimit të ligjit dhe politikave sociale. Ai bëri thirrje për një Evropë demokratike dhe të bashkuar.
“Le të forcojmë demokracitë dhe solidaritetin tonë kundër forcave të reja të errëta të fashizmit, dhe le të shkruajmë përsëri historinë e rifreskimit të mendimit dhe veprimit social-demokratik për të mirën e të gjithë qytetarëve evropianë”, deklaroi ai.