Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesi i Francës theksoi mbështetjen e vendit të tij për raundin e parë të zgjedhjeve në Kosovë, që u mbajtën më 12 tetor. Sipas tij, zgjedhjet kaluan pa incidente dhe me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.
Përfaqësuesi francez Jay Dharmadhikari gjithashtu ka theksuar rëndësinë e një kalimi të qetë të pushtetit në komunat veriore.
Ai ka kërkuar që të respektohen zotimet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Përfaqësuesi i Francës theksoi se nuk ka alternativë pozitive për asnjërën palë, as për Kosovën dhe as për Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve, që është thelbësor për integrimin në BE.
Për të arritur një normalizim të qëndrueshëm, ai theksoi se të dyja vendet duhet të respektojnë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit. Në këtë kontekst, Franca mbështet formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të siguruar një zgjidhje afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse.
Në lidhje me sulmin në Banjskë, Jay Dharmadhikari theksoi se është e papranueshme që autorët e krimeve të mbeten të lirë, dy vjet pas ngjarjes. Ai kërkoi që të gjithë ata që janë përgjegjës për këto sulme të sillen para drejtësisë sa më shpejt.
Përfundimisht, ai e vuri theksin te mandati i UNMIK-ut, duke theksuar se ky mandat është i lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duhet të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të siguruar stabilitet afatgjatë.