Këshilli Kombëtar Shqiptar ka reaguar pas, siç thekson, “shkeljeve të rënda ligjore në procesin e zgjedhjes së Këshillit të Regullatorit për Mediat Elektronike (REM) në Serbi, nga radhët e këshillave kombëtarë”.
Në reagim thuhet se “shërbimi i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë lejoi që në votim të marrin pjesë edhe nëntë këshilla kombëtare që nuk kishin marrë pjesë në procesin e mëparshëm dhe nuk kishin propozuar kandidatët e tyre, duke u dhënë atyre të drejtë të paligjshme vote”.
Sipas Këshillit, kjo ndërhyrje “cenon integritetin e procesit dhe përbën shkelje të qartë të Ligjit për Mediat Elektronike dhe të udhëzimeve në kuadër të tij”.
Në reagim theksohet se “në këtë fazë të procesit të harmonizimit, të drejtë përfaqësimi dhe votimi kishin vetëm tre këshillat kombëtare që kishin paraqitur kandidatët e tyre: Këshilli Kombëtar Boshnjak, Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Hungareze”.
“Pjesëmarrja dhe votimi i këshillave të tjerë, të paautorizuar dhe të painvolvuar në procesin paraprak, është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar”, thuhet më tej.
Këshilli Kombëtar Shqiptar thekson se “votat e vlefshme dhe legjitime i përkasin vetëm kandidatëve që janë propozuar në mënyrë të rregullt dhe që kanë marrë mbështetje nga propozuesit e autorizuar, pra Muhedin Fijuljanin dhe Lumturije Ameti”.
Këshilli kërkon “anulimin e menjëhershëm të fletëve të votimit jolegjitime, si dhe shpalljen të pavlefshme të vendimit të marrë në këtë mbledhje, për shkak të shkeljes së rëndë të ligjit dhe të procedurës”, duke shtuar se “ditëve në vazhdim do të raportoj tek të gjitha institucionet relevante, vendore dhe ndërkombëtare, për të siguruar zbatimin e drejtë, transparent dhe ligjor të procesit të zgjedhjes së anëtarëve të REM-it”.