Ai ka theksuar se po pret me padurim t’i takojë lojtarët dhe të fillojë përgatitjet për ndeshjet e para ndaj Britanisë së Madhe, duke vënë theksin në nevojën për disiplinë dhe energji në grumbullimin e parë.

Ostlund është zyrtarizuar më 2 shtator si selektor i Kosovës, dhe që nga ajo kohë ka punuar për ndërtimin e ekipit. Të martën, ai ka publikuar listën e parë me tetëmbëdhjetë lojtarë që do të grumbullohen të dielën.

“Do ta fillojmë javën e ndeshjeve ndërkombëtare me shumë energji dhe duhet t’i vendosim gjërat në vend shumë shpejt. Do të jetë një përbërje e re si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje, që kërkon shumë nga lojtarët, nga unë dhe nga Jasmin Zhuta”, është shprehur Ostlund për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Ai është ndalur edhe te debutuesit. “Kemi dy lojtarë të rinj në pozitën e pivotit, Muhamet Durmishin dhe Ardit Tafilajn, që do të futen direkt në zjarrë. Gjithashtu, Gzim Salihi, edhe pse debutues, ka përvojë të madhe dhe e njoh mirë nga koha kur punoja në ligën suedeze”, ka thënë ai.
Megjithatë Ostlund e ka pranuar se skuadra do të ketë mungesa të rëndësishme. “Do të mungojnë Valon Dedaj, Luigj Quni, Kushtrim Ninaj, Kastriot Jupa dhe Bujar Ramosaj në ndeshjen e parë. Gjithashtu, duhet ta vlerësojmë gjendjen e Egzon Gjukës dhe Salihit që kanë pësuar lëndime të vogla. Mungesat sigurisht ndikojnë, por kjo është një mundësi që të tjerët të marrin më shumë përgjegjësi”, është shprehur ai.

Ostlund ka theksuar se nuk do të mungojnë përpjekjet për të avancuar në raundin tjetër. “Janë dy ndeshje të para shumë interesante për mua dhe për ekipin. Do të punojmë fort për të avancuar në raundin tjetër. Kemi pak kohë për stërvitje, por besoj se do të arrijmë ta ndërtojmë identitetin tonë të lojës. Britania e Madhe ka lojtarë të mirë, por kjo do të jetë një sfidë që mezi e pres”, ka thënë ai.