Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Londër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pritur në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Në takim, siç ka bërë të ditur Qeveria, u diskutua mbi temat kryesore të Samitit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar.
“Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin. Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme”, ka thënë kryeministri në këtë takim, bëhet e ditur nga njoftimi i Qeverisë.
Tutje, Kryeministria thotë se shefi në detyrë i qeverisë gjatë këtij takimi në Londër, ka thënë se në fushën e mbrojtjes, Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar.
“Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë”, bëhet e ditur tutje në njoftim.
Kryeministri në detyrë, ka folur edhe për zhvillimin ekonomik e sundimin e ligjit.
“Kosova tashmë është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon. Sipas Gallup, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për sundimin e ligjit, ndërsa në indeksin e Transparency International është përmirësuar me 31 vende. Rritja mesatare ekonomike në katër vitet e fundit ka qenë 6%, asnjëherë nën 4%, me eksporte dhe investime të huaja të dyfishuara”, ka thënë Kurti sipas njoftimit qeveritar.
Tutje, shefi në detyrë i qeverisë i ka thënë sekretarës së Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper se prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“Kryeministri theksoi se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në aleancën e Atlantikut të veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja”, vazhdon tutje njoftimi.
Nuk ka lënë pa përmendur sulmin e vitit 2023 në Banjskë, duke thënë se përgjegjësit janë të lirë e të mbrojtur në Serbi.
“Kryeministri kujtoi që përgjegjësit për sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, përkundër faktit që autori i sulmit, terroristi Milan Radoiçiq, ka pranuar përgjegjësinë. Lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovë.
Gjatë diskutimit, sipas njoftimit , kryeministri në detyrë ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së të drejtave të njeriut në rajon dhe të trajtimit të barabartë të pakicave.
“Ai vuri në dukje se ende ekziston një mospërputhje e theksuar midis vendeve të rajonit, ndërsa Kosova mbetet shembull me garanci të forta ligjore dhe me mbrojtje të avancuar të të drejtave të pakicave. Në lidhje me migracionin, Kryeministri tha që Kosova nuk është burim i migrimit, por që ka vullnet të ndihmojë një shtet mik dhe partner si Britania e Madhe, të menaxhojë rrjedhën e migracionit. Së bashku po punojmë në forcimin e sigurisë kufitare, si dhe luftimin e krimit të organizuar”, përfundon njoftimi i qeverisë ëpr takimin që kryeministri në etyrë e ka pasur me sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit.