Përfaqësues të lartë të Misionit të OSBE-së në Kosovë vizituan sot Universitetin e Prishtinës, ku u informuan për ecurinë dhe zhvillimet e Programit të Ballkanistikës në Fakultetin e Filologjisë.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e OSBE-së u njoftuan se Universiteti i Prishtinës është në proces të plotësimit të dy pozitave akademike në kuadër të këtij programi, bazuar në konkursin e shpallur në shtator. “Plani i UP-së është që pas përfundimit të këtij procesi dhe akreditimit të programit, të hapet thirrja për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2026/27,”thuhet në njoftimin e UP-së.
Programi i Ballkanistikës, siç u theksua në takim, nuk synon vetëm aftësimin në fushën e përkthimit në gjuhët e fqinjëve, por ka për qëllim të përgatisë njohës të kulturës, historisë dhe traditave të popujve të Ballkanit, duke nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin rajonal.
“Zyrtarët e Misionit të OSBE-së informuan menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës për përfundimet e vizitës së Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, në Kosovë gjatë muajit gusht të këtij viti, kur ai pati vizituar edhe UP-në. Ata theksuan se ndër prioritetet e punës së komisionerit do të jenë arsimi, gjuha dhe historia e kontestuar në Kosovë dhe rajon:, thuhet në njoftim.
Nga ana e tij, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, theksoi rëndësinë e integrimit të të gjitha komuniteteve dhe institucioneve të arsimit në sistemin arsimor të Kosovës, për të tejkaluar ndarjet e së kaluarës. Ai, bashkë me prorektoren për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, falënderuan zëvendësshefen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor, dhe drejtuesen e Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitetet, Kavya Rajan, për vizitën dhe interesimin e tyre për zhvillimet në Universitet.

 
         
         
         
         
        

 
        


