Dogana e Kosovës, njofton se ka zbuluar 50 mijë euro të fshehura në bagazhin e veturës, në pikën kufitare në Vërmicë.
“Gjatë procedurës së zakonshme doganore, udhëtari kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim. Megjithatë, pas një kontrolli të hollësishëm në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 50,000 euro në monedha metalike, të cilat ishin fshehur në pjesën e bagazhit të automjetit”, thuhet në njoftim.
Zyrtarët doganor kanë konfiskuar 25% e shumës së padeklaruar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme pranë Sektorit të Hetuesisë.
“Dogana e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që kalojnë përmes pikave kufitare të respektojnë obligimet ligjore dhe të deklarojnë çdo shumë që tejkalon 10,000 euro, në hyrje apo dalje nga territori i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.