Për dy ditë me radhë në Budvë të Malit të Zi, nën organizimin e Këshillit të Evropës për Programin kundër Krimit Kibernetik, është mbajtur Konferenca Ndërkombëtare për Luftimin e Krimeve Kibernetike ndaj Grave.
Në këtë ngjarje që bëri bashkë përfaqësues të lartë të sistemit të drejtësisë, gjyqtarë dhe ekspertë nga Ballkani Perëndimor, Amerika Latine dhe Azia, thuhet se u diskutua rëndësia e forcimit të legjislacionit dhe ndërtimit të kapaciteteve institucionale për parandalimin dhe luftimin e dhunës kibernetike ndaj grave dhe vajzave, si dhe të dhunës me bazë gjinore.
Ministria e Drejtësisë thotë se në këtë Konferencë, Nazlie Bala ndau përvojën dhe arritjet e institucioneve të Kosovës në adresimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, me theks të veçantë në harmonizimin e kornizës ligjore me Konventën e Stambollit.
“Kjo konferencë përbën një hap të rëndësishëm drejt reformave në sektorin e drejtësisë dhe dëshmon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e MD-së.




