Fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash do të nis me 3 nëntor e do të zgjasë 7 ditë, deri më 9 nëntor në ora 6 e 59 minuta, ashtu siç e parasheh Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kështu u vendos në mbledhjen e KQZ-së këtë të premte.
Arianit Elshani nga Këshilli i Operacioneve Zgjedhore, tha se për balotazhin e 9 nëntorit do të pastrohen listat, ndërsa do të shtohen edhe 18 vjeçarët e rinj, që moshën për votim e arritën pas zgjedhjeve të 12 tetorit.
Por, shpjegoi ai, kjo nuk do të vlejë për 18 vjeçarët e rinj që jetojnë jashtë vendit, meqë në votimin jashtë vendit mund të marrin pjesë vetëm ata që janë regjistruar në raundin e parë.
Sqarimet i ka dhënë pasi u pyet nga anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, se si do të veprohet me të rinjtë që mbushin moshën 18 vjeçare e që jetojnë jashtë vendit.
“Çka me ata votues që në ndërkohë mbushin 18 vjet dhe jetojnë jashtë, ata nuk janë në listën e votimit të rregullt, sepse nuk i ka pasur 18 vjet deri në ditën e votimit. Çka bëhet me ata, mirë është të sqarohen”, tha Kurteshi.
Elshani tha se, këtë çështje e kanë trajtuar me rregullën zgjedhore për krijimin e listës zgjedhore.
“E kemi paraparë që personat që mbushin 18 vjet do të përfshihen në Listën Përfundimtare të votuesve, që nuk është numër shumë i lartë, por do të përfshihen në listë, e ata që jetojnë jashtë kanë mundësi të vijnë në Kosovë të votojnë, sepse do të jenë në Listën Votuese. Ndërsa personat që gjatë kësaj kohe kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, apo kanë ndërruar jetë do të largohen nga lista”, tha ai.
Këtu reagoi Kurteshi . “Shihni sa lehtë ata që kanë hequr dorë nga shtetësia shumë shpejt hiqen edhe nga lista, e ata që e fitojnë të drejtën e votimit, më ngadalë shkon”, ishte reagimi i Kurteshit.
Menjëherë reagoi anëtari nga AAK-ja, Muharrem Nitaj. “Votuesit e rinj janë në mënyrë automatike në listë, por koha e shkurtër e pamundëson regjistrimin e tyre për të votuar jashtë vendit, kjo është arsyeja pse ata nuk mund të votojnë nga jashtë këtë herë, për shkak që afati është i shkurtër”, tha ai.
Në fund me 11 vota ‘për’ u miratua plani kohor i aktiviteteve zgjedhor për raundin e dytë që do të mbahet më 9 nëntor.
Elshani, gjatë kësaj mbledhje ka kërkuar nga Sekretariati i KQZ-së, Zyra Ligjore të përpilojnë raport për secilën komunë veç e veç, në mënyrë që siç tha, t’i hapet rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare e certifikimit.
“Konsiderojmë që është shumë e nevojshme të kemi përgjigje prej PZAP-së e Supremes e të kemi edhe një raport nga ana e Sekretariatit lidhur me secilën komunë, nga Zyra Ligjore në këtë rast, për të parë ku ka ankesa e ku nuk ka ankesa, që t’i hapet rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare”, tha ai.
Alban Krasniqi nga LVV-j kërkoi të dinte nëse do të ketë një mbledhje tjetër sot për të shpallur ndonjë rezultat përfundimtar. “ Jo vetëm ditët, por edhe orët e minutat janë të rëndësishme për komunat që dihet tashmë që shkojnë në balotazh. Sa më herët që ne i përfundojmë procedurat tona , shpallim rezultatet përfundimtare, rrjedhin afatet tjera dhe mundtë fillojnë më herët edhe përgatitjet pastaj”, tha Krasniqi.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, shtoi se pa komunikuar me PZAP-në e Gjykatën Supreme nuk mund publikojnë asgjë.
“Tash ka shumë ankesa dhe duhet të ndahen ku ka për kryetarë komunash e ku ka ankesa vetëm për Kuvende Komunale. Unë po bëj përpjekje të komunikojë me PZAP-në e Gjykatën Supreme, por ndoshta gjatë vikendit nëse marrim ndonjë përgjigje, por sot gjatë ditës komunikoj me këto institucione”, tha Radoniqi.
Ndërkohë, KQZ-ja mori vendim për miratimin e rekomandimeve për përfshirjen në rezultatet përfundimtare të rezultateve që dolën pas rinumërimit të 16 kutive të votimit nga 12 vendvotime të ndryshme.
Ato u rinumëruan me vendim të KQZ-së për shkak të evidentimit të mospërputhjeve.
Kjo është tabela me listën dhe afatet e aktiviteteve kryesore të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash që do të mbahen me 9 nëntor e cila i ka të përfshira datat e fillimit dhe mbarimit të tyre.





