Komuna e Prishtinës dhe Shoqata “Handicap Kosova” nënshkruan sot Memorandumin e Mirëkuptimit, me qëllim avancimin e përfshirjes dhe mbështetjes së personave me paralizë dhe fëmijëve me nevoja të veçanta.
Memorandumin e nënshkruan kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe kryetari i Shoqatës, Jakup Vitia.
Si pjesë e marrëveshjes, Shoqatës i është dhënë një hapësirë për ta përdorur në zhvillimin e aktiviteteve, shërbimeve dhe programeve të ndryshme për fëmijët dhe personat me paralizë.
“Ky dokument shënon një moment historik për Shoqatën dhe për komunitetin që ajo përfaqëson, sepse pas 25 vjetësh punë dhe përkushtim, “Handicap Kosova” bëhet për herë të parë me hapësirën e saj të dedikuar për zhvillimin e aktiviteteve, shërbimeve dhe programeve për fëmijët dhe personat me paralizë”, thuhet në njoftimin e “Handicap Kosova”.
Ndërsa i pari i Prishtinës, Perparim Rama, theksoi se Kryeqyteti mbetet i përkushtuar të mbështesë të gjitha iniciativat që promovojnë integrimin social, fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara dhe respektimin e të drejtave të njeriut.




