Rrugëtimi i Kosovës drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të gjelbër, përmes iniciativës “Green Path to a Sustainable Future” është prezantuar në konferencën përmbyllëse “Blooming Garden of Tomorrow”, aty ku ishte pjesëmarrëse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në këtë konferencë në qendër të vëmendjes ishin zëri dhe idetë e të rinjve për zhvillimin e gjelbër të qëndrueshëm.
MKRS thotë se, ata si institucion dhe të të rinjtë kanë bashkëpunuar aktivisht dhe ngushtë së bashku në hartimin e politikave që ndërthurin mjedisin, inovacionin dhe rininë.
Bëhet e ditur se gjatë këtij aktiviteti, përfaqësues nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor kanë ndarë përvojat dhe praktikat e tyre të mira, duke vlerësuar rolin thelbësor të rinisë në udhëheqjen e ndryshimeve pozitive dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për rajonin.
“Ky projekt mbështetet nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me synim që të nxisë përfshirjen aktive të të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel kombëtar dhe rajonal”, thotë MKRS-ja.




