Sekretari i konferencës, Bardh Rugova, tha në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”  në RTK, se ky takim shkencor ka për qëllim jo vetëm prezantimin e rezultateve të reja kërkimore, por edhe nxitjen e integrimit dhe bashkëpunimit ndërdisiplinor.

“Kemi studiues nga i gjithë rajoni nga Bullgaria, Serbia, Maqedonia e Veriut, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Zvicra dhe Holanda. Numri i pjesëmarrësve është mjaft i madh, mbi 50 kumtues, të cilët kanë paraqitur punimet e tyre. Pjesa më e madhe e sesioneve u mbajt dje, ndërsa sot pritet të përmbyllen punimet e konferencës”, tha Rugova.

Ai theksoi se është i kënaqur me prurjet dhe cilësinë e kumtesave të paraqitura deri tani, duke shtuar se temat e diskutimit kanë qenë të larmishme dhe përfshijnë fusha të ndryshme të studimeve albanologjike.

“Në këtë konferencë jemi përqendruar kryesisht në fusha të historisë dhe arkeologjisë, pasi shumë prej studiuesve pjesëmarrës punojnë në këto disiplina, por kemi pasur edhe kumtesa nga fusha e linguistikës dhe studimeve kulturore”, shtoi Rugova.