Sipas Prokurorisë, nga provat e siguruara gjatë kontrollit të realizuar më 28 tetor 2025 në Ferizaj, ekziston dyshimi i bazuar se më 22 tetor 2025, i pandehuri Q.T., me automjet të tipit “Golf 8”, ngjyrë e zezë, ka dorëzuar tek të pandehurit E.E. dhe E.V. një çantë ngjyrë krem-kafe me mbishkrimin “EUROLAND”, me përmbajtje të substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë.

Kjo çantë ishte lënë në mobilerinë e të pandehurit E.E., në fshatin Greme të Ferizajt.

“Të nesërmen, më 23 tetor 2025, në orët e mbrëmjes, E.E. i ka kërkuar E.V.-së që t’ia dërgojë çantën në shtëpinë e tij, gjë që edhe është realizuar. Gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë e E.V.-së, janë gjetur dhe sekuestruar 734.4 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një peshore digjitale, dorëza lateksi dhe materiale për paketim, si dhe çanta me mbishkrimin “EUROLAND”, njofton Prokuroria.

Në bazë të këtyre rrethanave, Prokuroria dyshon se të pandehurit, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të pandehurit ndodhen aktualisht nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.