Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Luftimin e Narkotikëve, ka arrestuar tre persona në një aksion të mëngjesit të sotëm. Ata dyshohen për kultivim të bimëve narkotike dhe për posedim e shitje të paautorizuar të drogave.
Përmes një njoftimi për medie, Prokuroria bën të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Luftimin e Narkotikëve, në Pejë, sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë një aksion, ku kanë arrestuar tre persona nën dyshimin për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
“Ky aksion është rrjedhojë e hetimeve të ndërmarra nga prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës që ndërlidhen me plantacionet, rastin e koduar “Vera 2024”, ku gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar rreth 3000 (tremijë) bimë narkotike dhe rreth një (1) ton narkotikë e llojit marihuan në fshatin Sverkë të komunës së Pejës. Arrestimi i të dyshuarave është ekzekutuar nga Njësiti Special Intervenues në rajonin e Pejës dhe Gjakovës”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të shtetit, tre personat e dyshuar janë ndaluar 48 orë dhe njëkohësisht janë sekuestruar dy automjete, tre telefona mobil dhe para kesh. Prokurori i shtetit brenda aftit ligjor do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës se të pandehurve në procedurë penale.
“Lidhur me këtë rast me herët me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar në shtetin e Republikës se Shqipërisë edhe tetë persona për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.




