Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për posedim dhe shitblerje të substancave narkotike në Ferizaj.
Ngjarja ka ndodhur më 30 tetor 2025, rreth orës 20:00, kur hetuesit rajonalë dhe të stacionit policor në Ferizaj, gjatë patrullimit në kuadër të planit operativ “Zjarri i Bardhë”, kanë vërejtur një veturë të tipit Golf me targa vendore dhe afër saj një person të dyshimtë, njofton Policia.
I dyshuari, 40 vjeçar, dyshohej se ishte duke kryer shitblerje të substancave narkotike. Pas ndërhyrjes së policisë, tek ai janë gjetur dhe sekuestruar nëntë (9) qese najloni me substancë të dyshimtë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 7.27 gramë, si dhe një kartëmonedhë.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj për procedura të mëtejshme, ndërsa rasti i është referuar Njësisë për Hetimin e Narkotikëve.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Si prova materiale janë sekuestruar: 9 qese najloni me substancë të dyshimtë narkotike (marihuanë); një telefon celular; një kartëmonedhë.

 
         
         
         
         
        

 
        


